A do të mundet Reali i Madridit ta marrë 170-milionëshin Harri Kejn?!

Në klubin më të madh të botës nuk ka qetësi. Presidenti i Realit, Florentino Perez, së bashku me trajnerin Zinedin Zidan, po përpiqen pa pushim të realizojnë përforcimet më të mira për sezonin e ardhshëm, duket se një emër ka dalë mbi të tjerët. Ky është Harri Kejni, ylli i sulmit të Anglisë dhe Totenhem Hotspurit. Në moshën 26-vjeçare, ai ka përvojën e duhur, ndërsa klasi i tij cilësohet thuajse i barabartë me atë të sulmuesve më të mirë të botës. Jo më kot, mediat spanjolle e cilësojnë si “blerje të nivelit botëror”.

Nuk do të jetë e lehtë, gjithsesi. Kejn ka lidhje të veçantë me Totenhemin, skuadrën e vetme me të cilin ka luajtur në karrierë, që nga viti 2009, dhe për të cilën ka shënuar gati 200 gola në më pak se 350 ndeshje. Kartoni itij mund të arrijë deri në 170 milionë euro, ndërsa konkurrenca nuk do të mungojë pasi Mançester Siti thuhet se është i interesuar për anglezin. Niveli i tij botëror shihet edhe tek 32 golat në vetëm 45 ndeshje për kombëtaren e Anglisë.

Reali ka nevojë urgjente për të forcuar vijën sulmuese, ndërsa po kalon sezonin e dytë me probleme. Në kampionat e humbi vendin e parë, në favor të Barcelonës, pas humbjes në fushën e Betisit. Në Champions është pranë eleminimit që në të tetat e finales, pas humbjes 1-2 në “Bernabeu” ndaj Mançester Sitit. Gjithsesi, madrilenët kanë edhe alternativa të tjera, pasi pëlqehet sulmuesi i Dortmundit, Erling Haland, me 19-vjeçarin norvegjez në formë të madhe këtë edicion. Kilian Mbape i Francës është dëshira maksimale, por do të jetë tepër e vështirë që t’i merret Paris SG.

Sfidanti.al