Kombëtarja, “gjysmagjel” nga Kovidi, dëmtimet e pezullimet, thirret Endri Çekiçi!

Pritej që më parë që të ishte një grumbullim i vështirë. Trajneri Edi Reja e parandjeu me të drejtë, dhe problemet nuk munguan të shfaqen në kombëtaren shqiptare në prag të dy sfidave të Ligës së Europës. Dy prej lojtarëve të thirrur, Ermir Lenjani e Florian Kamberi, janë në dyshim për të mbërritur nga Zvicra, prej kufizimeve në udhëtime për shkak të koronavirusit. Federata njofton se ka bisedime me palën zvicerane, por ende zgjidhje përfundimtare.

Po ashtu, në dyshim është mbrojtësi Marash Kumbulla për shkak të problemeve fizike që ka pasur në fazën përgatitore me Veronën në Itali. Lojtari 20-vjeçar do t’i nënshtrohet kontrollit mjekësor në Shqipëri, dhe vetëm më pas do të mësohet nëse do të jetë i gatshëm apo jo. E sigurt është mungesa për ndeshjen e parë, atë në Bjellorusi, e sulmuesit Armando Broja, i cili është i pezulluar për shkak të një kartoni të kuq që ka marrë në një ndeshje të Shqipërisë U19.

Trajneri Reja ka thirrur në ekip Endri Çekiçin, mesfushorin sulmues të Olimpijas së Ljubljanës së Sllovenisë, për të mos rrezikuar ndërsa mund të ketë mungesa të ndryshme. Kombëtarja nis seancat stërvitore këtë të hënë në kompleksin “Tropikal” në plazhin e Durrësit, paradite e pasdite. Të martën e të mërkurën do të ketë vetëm nga një seancë stërvitore, ndërsa nga dy lojtarë do të dalin pare mediave, e më pas ekipi do të niset pasditen e së mërkurës për në Minsk.

Kombëtarja do të stërvitet në kryeqytetin e Bjellorusisë ditën e enjte në orën 18:15, ndërsa trajneri Reja e kapiteni do të dalin para mediave në 17:45. Në 4 shtator, të premten, luhet ndeshja në Bjellorusi, ndërsa në 7 shtator do të jetë ndeshja e dytë, ajo ndaj Lituanisë që do të luhet në “Arenën Air Albania”, me të dyja sfidat të vlefshme për Ligën e Kombeve.

Sfidanti.al