Një mace, “lojtari më i mirë” i Bajernit në fushën e Stambollit

Ishte minuta e 49-të në stadiumin “Vodafon Park” të Stambollit. Gjyqtari anglez, Majkëll Oliver, vërshëlleu për të ndërprerë ndeshjen e Championsit, Beshiktash-Bajern, dhe shumëkush mendoi se do të bëhej ndonjë zëvendësim apo do të jepej ndonjë karton.

As njëra, as tjetra. Oliveri kishte dalluar një mace që kishte kërcyer nga reklamat drejt e në fushë. Macja u fut në terren pasi mashtroi punonjësit e sigurisë, dhe nuk u arrit të kapej prej tyre, por zgjodhi që të kthehej përsëri në tribuna. Nuk dihet se nga erdhi ajo mace, ishte bredharake, apo e kishte sjellë ndonjë tifoz me vete.

Bajerni, gjithsesi, vendosi të bënte një shaka dhe krijoi një sondazh (pyetësor) në rrjetet sociale: Kush ishte, për ju, lojtari më i mirë i ndeshjes: Tiago, Vagneri, Myleri apo Macja? Pas disa mijëra votave, klubi bavarez e deklaroi anketën në rrjetet sociale të mbyllur, duke dhënë edhe rezultatin: Ju folët, më i miri ishte MjauSanMjau.

Gjithsesi, një sondazh të tillë duhej ta kishte bërë Beshiktashi, pasi macja i dha mundësi skuadrës turke që të merrte paksa frymë, me lojën e ndaluar, ndërsa deri në atë kohë Bajerni kishte dominuar plotësisht.

Sfidanti.al