Kur nuk lexon mesazhet, gafë e lojtarit të Danimarkës

Gjithë bota u mor me grevën e famshme të futbollistëve të Danimarkës. Lojtarët e përfaqësueses së njërit prej vendeve më të mrekullueshëm të botës, u përplasën me Federatën, por njëri prej tyre nuk dinte asgjë. Edhe pse greva u bë lajm kryesor në planet, Pione Sisto, futbollist i Seltës së Vigos, nuk kishte dijeni, ndaj edhe fluturoi drejt e në aeroportin e Vjenës, kur duhej të takohej me kombëtaren.

Pasi nuk gjeti njeri aty, dhe u habit shumë, ai kontaktoi me shokët e ekipit, të cilët e sqaruan sesi ishte puna. Ata e këshilluan që të kthehej në Kopenhagen, kur futbollistët po bisedonin me federatën. “Kam marrë shumë mesazhe kohët e fundit, por nuk i kam lexuar që të gjithë”, – u shpreh Sisto, si për t’u shfajësuar. Për pak, ai do të kishte luajtur në ndeshjen ndaj Sllovakisë, humbur 0-3, dhe ku luajtën futbollistë amatorë dhe lojtarë të futbollit në sallë.

Sfidanti.al