Shefi i sportit mallkon shefat e TV-së për heqjen e topmodeleve

Emrin si sport në anglisht e ka “darts”, ndërsa në shqip mund të quhej pak më gjatë “gjuajtje në shenjë me shigjeta të vogla në një tabelë qitjeje”. Sporti është i vjetër, mbi 150 vjeçar dhe “shpirtin” e ka në Angli, por duket se ky shpirt është prekur pa masë.

Presidenti suprem i dartsit, anglezi Berri Hërn (Barry Hearn) lëshoi mallkime për bosët e televizioneve që vendosën të mos lejonin më parakalimin e vajzave topmodele gjatë ndeshjeve. Korporata e Dartsit Profesionist (PDC) u detyrua të tërhiqej nga prania e vajzave pas bisedimeve me televizionet. Vajzat kishin disa vjet që i jepnin bukuri me mënyrën e tyre ndeshjeve, dhe kritika kishte mjaft, aq sa PDC-ja u detyrua të merrte masa.

“Unë jam presidenti i PDC-së, por vendimi ishte jashtë fuqive të mia, – tha ai, – unë për vete nuk kam pasur kurrë asnjë lloj problemi me vajzat, por po jetojmë në kohë ndryshimesh dhe “Brigada PC”, brigada liberale po merr fuqinë. Kam frikë se gjithçka do të shkojë më keq”. Tre televizionet që dolën kundër vajzave ishin BBC-ja, Skaj (Sky) dhe ITV-ja.

Sfidanti.al