Muzike dhe basketboll, Beyonce, aksionere e Houston Rockets?

Mbretëresha e muzikës R&B, Beyonce Knowles duket se do të hyjë seriozisht në botën e NBA. Portali financiar ‘Bloomberg’ bën të ditur se artistja e njohur ka shumë të ngjarë të jetë pjesë e aksionerëve të skuadrës së Houston Rockets. Mësohet se Beyonce është pjesë e një grupi investitorësh që po mendojnë të blejnë skuadrën teksane për më shumë se 2 miliardë Dollarë. Beyonce njihet në median amerikane si një tifoze e flaktë e Houstonit dhe jo pak herë ka qenë e pranishme në ndeshjet e kësaj skuadre. Dhe jo vetëm kaq, Beyonce në shumë raste ka dalë në skenë për të interpretuar këngët e saj e veshur me fanelën e Rockets.  Beyonce nuk është e vetmja në familjen e saj që investon në basketboll, të njëjtën gjë e ka bërë edhe bashkëshorti i saj Jay Z që ka në zotërim një kuotë të vogël aksionesh tek skuadra e Brooklyn Nets.

sfidanti.al