Mauro-Ivana, tjetër histori e trishtë e një familjeje të ndarë!

Njihet mirë antipatia e disa futbollistëve argjentinas për Mauro Ikardin pas lidhjes me Uanda Narën. Diego Armando Maradona e ka thënë hapur, po kështu ndonjë tjetër, ndërsa besohet se Lionel Mesi për shumë kohë vendosi veton që Ikardi të mos thirrej në kombëtare.

Kapiteni i Interit ka edhe një kundërshtar tjetër për zgjedhjen e bërë në jetë, dhe ky kundërshtar është me “profil” të lartë, vetë motra e tij, Ivana. Kjo e fundit, sulmoi Uandën në rrjetet sociale, ndërsa e ka bërë edhe në të kaluarën.

“Sa e rëndë për një nënë apo baba, që kanë sakrifikuar gjithçka për të rritur siç duhet fëmijën, dhe që kur fëmija rritet nuk i merr në konsideratë, nuk i bën një telefonatë, një përshëndetje, – shkruajti Ivana në Tuiter, – gjithsesi, nuk thonë kot, më thuaj me kë rri, të të them se cili je”.

Dikush në Tuiter u përgjigj se fajtor kryesor për këtë që po ndodh është vetë Ikardi, më shumë sesa Uanda, dhe motra e Mauros, vazhdoi komentin e saj. “E di, por ajo grua mendon në këtë botë vetëm për paratë, dhe i ka bërë atij që quhet fajtori, një shpëlarje truri, –  ishin fjalët e saj, – unë nuk jam bija e përsosur e familjes, sepse edhe unë jam nxehur shumë herë, por e di se nga vij dhe se cila është familja ime”.

Sfidanti.al