Mallkimi nuk i ndahet Nadalit, e ndekin si fantazma dëmtimet

Tenisti më i mirë spanjoll, Rafael Nadal, nuk do të luajë, javën e ardhshme, në turneun e Roterdamit. Spanjolli, fitues i 14 turneve Grand Slem dhe që, aktualisht, ndodhet në një formë mjaft të mirë, me rekomandim të mjekëve u tërhoq nga pjesëmarrja në turneun e Roterdamit. Nadali, në turneun e fundit Australian Open, u mund në finale nga Federeri.

“Më vjen keq që jam i detyruar të mos marrë pjesë në turneun e Roterdamit. Pas turneve, ku kam munguar gjatë vitit të kaluar, këtë sezon e fillova mjaft mirë dhe, sidomos, jam shumë i kënaqur që arrita deri në finalen e turneut Australian Open. E di që tifozëve nuk do t’u vijë mirë, por unë do të kthehem në fushë shumë shpejt”, deklaroi Nadali. Turneu i Roterdamit që i përket Serisë 500, do të luhet në një fushë me terren të fortë dhe fondi shpërblyes i tij është 1 724 839 euro, ndërsa titullmbajtës i tij është Martin Klizhan.

Sfidanti.al