Zidan flet si tifoz i vetes: Ronaldo? Goli im ishte më i bukur!

Si trajner dhe si njeri i Realit, i takon të jetë gjithnjë në krah të lojtarëve të tij, dhe këtë e ka bërë edhe kur ka qenë i bindur për të kundërtën. Gjithsesi, erdhi një moment kur Zinedin Zidan u prek në sedrën e tij të madhe futbollistike, dhe ky moment ishte kur u krahasua goli i mbrëmshëm i Ronaldos me roveshatë në Torino, me golin e tij fitues të finales së Championsit në 2002.

“Jam trajner, por jam edhe tifoz futbolli, – e nisi Zidan përgjigjen e tij “me marshin e parë”, – Ronaldo është lojtar i veçantë pikërisht sepse bën gjëra të tilla, dhe ne duhet të jemi të lumtur që e kemi tek Reali”. Më pas, nisi pjesa personale. “Veprimi ishte spektakolar, duhet t’i heqësh kapelen, – u shpreh francezi, – goli im në Gllazgou ishte pak më i mirë, por ky ishte i fundit. Mund të themi se ishte një nga më të bukurit në histori, por jo aq shumë sa i imi”.

Me shaka apo seriozisht, Zidan ishte mbrëmë tifoz i vetes, ndërsa si tifoz i Realit, ishte tifoz i Ronaldos. Duke komentuar ndeshjen, trajneri i Realit u tregua i kujdesshëm dhe diplomat. “Rezultati është i ekzagjeruar, pasi Juventusi pati rastet e vet, – tha ai, – veçse, ne luajtëm pikërisht për një fitore të madhe, diçka që në fushën e Juves ndodh shumë rrallë”. Natyrisht, Barcelona mbetet e frikshme me Mesin, por kur Reali luan kështu, fare mirë mund të quhet favorit për Championsin.

Sfidanti.al