Xhanini, Toti, Zaniolo, Roma ka gjetur “Princin e ri”

Xhuzepe Xhanini u cilësuar “Princi”, (Il Principe), Françesko Toti ishte Mbreti i 8-të i Romës, por Çezari i ri po lind, dhe ai e ka emrin Nikolo Zaniolo. Djaloshi 19-vjeçar shkëlqeu edhe një herë me gjithë rrezatimin e tij, duke shënuar dy golat për verdhekuqtë në fitoren e rëndësishme, edhe pse jo përfundimtare ndaj Portos në Champions.

Gjithçka është e hapur “katër kanatësh” për në sfidën e dytë në “Dragao”, por me një Zaniolo të tillë, si edhe me një Edin Xheko të shkëlqyer, tifozët romanë mund të ëndërrojnë që të përsëritet marshimi i vjetshëm. Roma fitoi 2-1, me golat e Zaniolos në minutat 70 e 76, por me goditjen e Adrian Lopezit në 79’. Porto pati nevojë edhe për pritjet e Iker Kasijasit, si dhe për fatin (shtyllë e Romës), për të marrë një rezultat të pranueshëm që i jep shpresë.

Gjithsesi, momenti duket i Romës, me Zaniolon që u bë italiani më i ri me dy gola në një ndeshje në Champions. Ndeshja e dytë luhet në 6 mars, dhe Porto do të përpiqet të mos e ndjejë përfundimin e një serie prej 5 fitoresh radhazi në Europë. Sa për Zaniolon, ai do të përpiqet të imitojë Xhaninin që arriti finalen e Kupës së Kampionëve në 1984, ndërsa Toti nuk arriti më shumë sesa çerekfinalet.

Sfidanti.al