Xhaka e Shaqiri mundin Serbinë, me gola dhe shenjën e shqiponjës!

Mbrëmje e bukur për zviceranët, por jo pë rata që e quajnë veten nacionalistë në Serbi. Dy lojtarë të Zvicrës, me origjinë shqiptare nga Kosova, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri përmbysën rezultatin dhe siguruan fitoren ndaj Serbisë në stadiumin e Kaliningradit, madje duke bërë edhe shenjën e shqiponjës.

Një shenjë shqiptare, padyshim, që plagosi zemrën e atyre që futbollin e shohin si shans për luftë, ndërsa gëzoi në radhë të parë tifozët e Zvicrës, në stadium dhe kudo ishin. Ishte natyrisht një përgjigje, një kundërprovokim, për provokimet që iu bënë gjatë pjesës së parë nga një pjesë e tifozëve serbë.

E qartë se pavarësisht përkatësisë së tyre zvicerane, zgjedhjes së shtetit dhe fanelës, origjina shqiptare mbetet pjesë e tyre. Atë ua kujtojnë edhe të tjerët, por e dinë edhe vetë. Skuadra e trajnerit Vladimir Petkoviç, një burrë me origjinë kroate nga Bosnja, fitoi 2-1 dhe tani është shumë pranë turit të dytë të Kupës së Botës. i mjafton vetëm një barazim ndaj Kosta Rikës që të kalojë grupin E dhe të vazhdojë rrugën në Rusi.

Serbia, gjithsesi, e nisi ndeshjen shumë më mirë dhe shënoi shpejt. Mitroviç konkretizoi epërsinë e saj, që në minutën e pestë dhe të mbiquajturit “shqiponjat”, “orlovi”, u duk se nuk do ta kishin problem kundërshtarin.

Me kalimin e minutave, çdo gjë ndryshoi dhe Zvira e tregoi veten më shumë skuadër. Më shumë lojë, më shumë zotërim topi, më shumë pasime, por pa arritur ta konkretizonte epërsinë në pjesën e parë. Kjo ndodhi pas pushimit, me dy gola, njëri më i bukur se tjetri. Shaqiri ishte ndoshta më i miri i të vetëve, por i dalluar edhe Xhaka, si dhe kapiteni Lihtshtajner.

Zvicra ka tani 4 pikë, po aq sa Brazili, por me golaverazh më të dobët, ndërsa Serbia mbeti me tri pikë, dhe do t’i duhet patjetër fitorja ndaj brazilianëve që të kualifikohet.

Sfidanti.al