Vllaznia ose Tirana, në Shkodër do të luhet derbi i mbijetesës!

Numërimi mbrapsht është tek numri i fundit, dhe Superligës i mbetet edhe një javë. Kur gjithçka të përfundojë, me shumë gjasë jashtë elitës do të mbetet një nga dy klubet më historikë të futbollit shqiptar, Tirana ose Vllaznia. Ky ishte verdikti i ndeshjeve të parafundit.

Shkodranët u dënuan nga humbja në Durrës me Teutën, disfaë që i lë në vendin e 6-të me 39 pikë, por me rrezikun që të zbresin të parafundit nëse munden në ndeshjen përmbyllëse nga Tirana në Shkodër. Kryeqytetasit e kanë edhe më pisk, edhe pse fituan ndaj Luftëtarit. Me 38 pikë, janë të detyruar që të shkojnë në “Loro Boriçi” me vetëm një mundësi, të fitojnë, ndryshe mund të zbresin në Kategorinë e Parë, diçka që nuk i ka ndodhur kurrë në histori.

Kjo situatë u krijua pasi Teuta mundi shkodranët dhe pasi Flamurtari e Laçi u ndanë në barazim në Vlorë. Rezultati 0-0 krijon kushtet që të dyja skuadrat të shpëtojnë duke fituar përballjet përfundimtare të sezonit. Flamurtari e ka të lehtë ndaj Korabit, por edhe Laçi në fushën e vet ndaj një Teutë pa motiv tashmë të shpëtuar, dhe të dy ekipet mund të ngjiten në kuotën 40 pikë, që do të ishte shpëtimtare.

E keqja do t’u ndodhë pra ose Vllaznisë, ose Tiranës, ku më e rrezikuar është kjo e fundit pasi luan jashtë. Derbi më i vjetër i Shqipërisë do të luhet për mbijetesë fundjavën e ardhshme.

Sfidanti.al