Verner i heq buzëqeshjen Lajpcigut në Champions, më 1 korrik paraqitet tek Çelsi!

Ky yll tashmë do të veshë fanelë tjetër. Çelsi konfirmoi transferimin e Timo Vernerit nga Lajpcigu, duke i dhënë fund njërës prej historive më të rëndësishme në tregun e futbollit këtë verë. Londinezët  dhanë njoftimin zyrtar në Tuiter, ndërsa mediat britanike njoftuan se sulmuesi i Gjermanisë firmosi një kontratë 5-vjeçare në “Stemford Brixh”, pasi kaloi vizitat mjekësore. Pavarësisht vonesave për shkak të koronavirusit, dhe kufizimeve të shumta të pandemisë, gjithçka përfundoi me sukses. Sipas mediave, Verneri do të fitojë 175 000 paundë stërlina në javë, që do të thotë 195 000 euro, e pra mbi 10 milionë euro në vit.

“Jam i lumtur që firmos për Çelsin, – u shpreh ai, – është një moment shumë krenar për mua që bashkohem me këtë klub të madh. Natyrisht, dua që të falenderoj Lajpcigun, drejtuesit, trajnerët e mi dhe shokët e skuadrës, po ashtu tifozët. Mezi po pres të fillojë sezoni i ardhshëm, që të arrij suksese me skuadrën time të re. Së bashku, ne kemi një të ardhme të madhe përpara”.

Futbollisti i kombëtares gjermane u bashkua me Lajpcigun që në 2016, kur ekipi lindor u ngjit në Bundesligë, dhe ishte i pranishëm në sezonin e parë historik, dhe në fitoren e parë historike në elitë, në 10 shtator 2016 ndaj Dortmundit. Rendimenti i tij ka qenë i shkëlqyer me 93 gola në 157 ndeshje për Red Bullin, ndërsa ka 11 rrjeta në 29 ndeshje për Gjermaninë.

Sulmuesi do të bashkohet me Blutë e Londrës në 1 korrik, e kjo do të thotë se ai do të përfundojë sezonin e Bundesligës me Lajpcigun, por nuk do të japë kontribut për skuadrën në Champions. Verneri ka qenë një nga lojtarët më të mirë të gjermanëve këtë sezon në Europë, duke shënuar gola të rëndësishëm, ndërsa Lajpcigu ka qenë ambicioz sidomos pas eleminimit të Çelsit në turin e dytë, dhe arritjes së çerekfinaleve. Nuk dihet sesa trajneri Nagelsman mund t’ia dalë në gusht pa yllin kryesor.

Sfidanti.al