UEFA-Man. Siti, përse Çeferini po “pajton gjakun” me sheikët e naftës?!

Me gjasë, lufta mori fund. UEFA besohet se ka ndryshuar kurs dhe se ka nisur një proces paqësimi mes qeverisë europiane të futbollit, dhe pretendentëve të tij për të dominuar futbollin e kontinentit. Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë në favor të Mançester Sitit ka vënë në lëvizje një mekanizëm për “faljen e gjaqeve”, që duket se tregon ndryshimin e raporteve të forcave në kontinentin e vjetër.

Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin, dhe drejtues të tjerë të UEFA-s, pritet të kenë afrim me presidentin e Paris SG, Al Helaifi, dhe bosin e Mançester Sitit, Haldun Al Mubarak. Ceferin ka biseduar në telefon me këtë presidentin e Sitit, me kërkesën e këtij të fundit pak orë pas vendimit të KAS-it, dhe burime pranë klubit anglez pohojnë se fjalosja shkoi mjaft mirë. Sitit iu hoq përjashtimi 2-vjeçar dhe gjoba prej 30 milionë eurosh iu zbrit në 10 milionë. Klubi anglez u dënua më herët në 2014, me 49 milionë paundë stërlina, nga të cilët 32 milionë u lanë pezull, dhe akuza ishte sërish për shkelje të rregullave financiare.

Vendimi i gjykatës sportive në Zvicër me shumë mundësi do të detyrojë UEFA-n të ndryshojë qendrimin e saj për rregullat e Lojës së Ndershme Financiare. Deri tani, ka pasur kufizime për humbjet financiare të klubeve, dhe kjo për të mos lejuar që ato të rrezikonin falimentimin, si dhe për të mos lejuar që pronarë të fuqishëm të mund të investonin dhjetëra e qindra milionë euro në kërkim të suksesit sportiv, në dëm të klubeve më pak të fuqishëm.

Qendrimi i UEFA-s është cilësuar si mbrojtje e gjigandëve më të vjetër të futbollit europian si Reali i Madridit, Mançester Junajtidi, Bajerni apo Juventusi, të cilët sot nuk kanë nevojë për të injektuar shuma të mëdha financiare, meqë e kanë emrin, dhe i kanë të ardhurat për të qenë të suksesshëm. UEFA besohet se po përshtatet me realitetin e ri, që u krijua pas vendimit të KAS-it, dhe ndoshta rregullat financiare mund të ndryshojnë.

Mançester Siti e Paris SG synojnë që të fitojnë trofeun më të madh të klubeve në Europë, Championsin, e ndoshta mund t’ia arrijnë, për t’u kthyer më pas në klube normalë si Reali apo Bajerni.

Sfidanti.al