Tronditje në Brazil për ekipin e vdekur, rivali i ofron trofeun e Kupës!

Tifozët nuk deshën ta besonin lajmin e tmerrshëm. Kaluan shumë minuta, derisa mpirja e parë filloi të largohej, dhe përkrahësit e Çapekoenses nisën të grumbulloheshin dalë nga dalë në stadiumin e skuadrës së tyre, që tashmë nuk ishte më. Me qindra e qindra njerëz u mblodhën në “Arenën Konda” për të mbajtur zi për futbollistët që i kishin brohoritur sa herë nëpër ndeshje, por edhe për të tjerët, drejtues të klubit dhe gazetarë sportivë.
Tifozët u gëzuan që të paktën disa nga lojtarët jepen si të mbijetuar, madje flitet për katër prej tyre. Mbrojtësi Alan Rushel, portieri Xhekson Folman, mbrojtësit e tjerë Helio Hermito dhe Zampier Neto janë mes emrave që përfliten se kanë shpëtuar, të paktën siç thonë zyrtarë të klubit në qytetin brazilian të Çapekos.
I mrekullueshëm qendrimi i rivales së Çapekoenses në finale, skuadrës kolumbiane Atletiko Nasional. Futbollisti i saj, Zhilberto Garsia, postoi këtë mesazh në rrjetet sociale: “Ne duam që Çapekoense të shpallet kampione”. Besohet se Atletiko ka bërë një kërkesë zyrtare në CONMEBOL, Federata e përbashkët e futbollit të Amerikës së Jugut, që skuadra braziliane të shpallet fituese e Kupës Sudamerikana për këtë vit.