Tirana i bën tifozët me zemër, ndalet në shtëpi nga Korabi!

Nuk bën punë as trajneri kampion, Mirel Josa. Tirana nuk arrin të fitojë as atë që mund të quhej ndeshja më e lehtë e Superligës, ndaj Korabit madje në “Selman Stërmasi”. Përfundoi 1-1 dhe bardheblutë mund të quhen me të vërtetë në krizë dhe shumë larg luftës për titullin kampion. Madje, nuk dihet nëse do të kenë forca për të kapur Ligën e Europës sezonin e ardhshëm.
Të mendosh se gjithçka nisi siç duhet pasi Afrim Taku, lojtari më i mirë i tiranasve këtë edicion, shënoi në mundësinë e parë që iu dha, në minutën e 7-të. Më pas, dibranët bëjnë zëvendësim të detyrueshëm dhe Tirana krijon rast me Gilman Likën, por pa dobi, ndërsa në minutën e 25-të erdhi goditja.
Sebino Plaku u shfaq i vetëm përballë Ilion Likës dhe shënoi pa problem. Deri në fund të pjesës së parë, tiranasit krijojnë edhe dy mundësi, ndërsa në të dytën, edhe pse Merveil hyri në lojë, nuk ndodhi asgjë. Në të kundërt, rastin më të mirë e pati Korabi me Plakun. Tirana mbetet në 23 pikë, 8 larg Kukësit kryesues.
Ndryshe, Partizani, që fiton me Laçin dhe mban diferencën 4 pikë nga kreu. Të kuqtë, triumfuan me golat e sulmuesit Kaleb Ekuban dhe të Torasës me penallti në pjesën e dytë, ndërsa Skënderbeu tani është vetëm 2 pikë larg.

Sfidanti.al