Tirana do titull për 100-vjetor, ndoshta e arrin me “autoktonin” e shkëlqyer Egbo!

Ka 100-vjetor këtë vit, jo shaka. E çfarë motivimi më të madh mund të kishte Tirana për të pretenduar titullin kampion, si dhuratën më të bukur për veten në këtë përvjetor? Duket se në klubin kryeqytetas e kanë kuptuar shumë mirë këtë gjë, por ekulibrin duket se e kanë gjetur vetëm me trajnerin Emanuel Egbo, ose të paktën kështu shihet nga jashtë. Natyrisht, nuk mund të preken meritat ish-trajnerit Ardian Mema, njeriut që punoi për 1 vit me bardheblutë duke krijuar stilin e tyre sulmues.

Fitorja 5-1 ndaj Luftëtarit në “Selman Stërmasin” ishte e pesta radhazi në Superligë, një shenjë e pagabueshme se rekordmenët e titujve në Shqipëri po kthehen në identitet. Kobina, dy herë Batha, Ngo dhe Muçi me penallti ishin autorët e golave për 24 herë kampionët. Nga të gjithë ata, vetëm Egbo e di se çdo të thotë të fitosh një titull me Tiranën, pasi e ka bërë në fillim të viteve 2000, në rolin e portierit, ndërsa shumë të paktë janë ata që dinë të fitojnë titullin kudo qoftë, si Ilion Lika apo Tefik Osmani.

Suksesi i thellë ndaj Luftëtarit nuk mund të quhet shumë i lehtë, pasi ende nuk është harruar se çfarë paraqitjeje bënë gjirokastritët ndaj Kukësit vetëm pak ditë më parë, duke i marrë barazimin 0-0, e madje duke merituar fitoren. Me këtë sukses, Tirana u ngjit në kuotën e 34 pikëve, duke qenë kandidate e fortë për titullin kampion, rival me Kukësin apo me Partizanin.

Jo vetëm kaq, por të besuarit e trajnerit Egbo kanë shënuar më shumë gola se çdo ekip tjetër në Superligë, plot 34, dhe kjo i bën edhe më serioze pretendimet e tyre.

Sfidanti.al