Taulant Xhaka besnik “deri në vdekje” i Bazelit, “pitbulli” nuk ikën nga Superliga e Zvicrës!

U fol shumë për të ardhmen e tij dhe shumëkush e çoi në Turqi. Gjithsesi, Taulant Xhaka i kishte dhënë sinjalet dhe habia nuk është shumë e madhe që futbollisti i kombëtares shqiptare rinovoi kontratën me Bazelin. Mesfushori ra dakord që ta vazhdojë karrierën në klubin e Superligës së Zvicrës deri në 2024, dhe me gjasë kjo do të jetë kontrata e fundit e rëndësishme për të, pasi do të jetë në moshën 33-vjeçare. Vetë shqiptari i Kosovës ishte shprehur se dëshira e tij më e madhe ishte që të firmoste sërish për Bazelin, dhe mjaftonte që klubi t’i ofronte kontratën që ai të luante përjetë aty.

Kjo ndodhi dhe dilema për të ardhmen më nuk ka. Xhaka është bërë pjesë e Bazelit që në vitin 2002, në moshë fare të vogël, dhe në skuadrën e parë është pranuar në 2010. Ai për 10 vjet ka dhënë kontributin e tij si mesfushor me tipare difensive apo edhe si mbrojtës, ndonëse ka arritur të shënojë disa gola të rëndësishëm. Ai është shpallur 5 herë kampion i Zvicrës dhe ka fituar dy herë Kupën zvicerane me Bazelin, ndërsa një herë Kupën e ka fituar edhe me Grasshopersin. Me kombëtaren shqiptare ka luajtur deri tani 31 ndeshje duke shënuar 1 gol, ndërsa në vitet 2008-2013 ka veshur fanelën e ekipeve kombëtare të moshave për Zvicrën.

Sfidanti.al