Takimi Rama – Duka, mundësia e vetme për të nxjerrë futbollin nga mbledhja

Zgjatja e bojkotit të futbollit në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më i pakuptimtë, aq sa po e humbet edhe qëllimin real të nisjes së tij.  Presidenti i Ligës deklaroi së fundi, pas një takim në Ministrinë e Financave, se palët janë afruar shumë në qëndrime me njëri-tjetrin, gjë që e konfirmon edhe deputeti Ylli, i mandatuari i Ramës për të biseduar me FSHF-në, por në të njëjtën kohë nuk jepet asnjë datë për fillimin e aktivitetit. Gjithçka vazhdon të jetë e bllokuar në të gjitha kategoritë, megjithëse treçereku i “grevitsëve” as që ka lidhje me Ligën dhe kështu që nuk e gëzon mbrojtjen e saj. Ndërkohë që nuk lejohet të luajnë as femrat e fëmijët. Ndërsa së fundi është thënë me një entuziazëm ekstrem, se vaksina e këtij virusi anti-futboll nuk është plotësismi 100% i kushteve të vendosura nga Liga, por një takim i mundshëm midis kryeministrit dhe presidentit Duka, megjithëse iniciatorët e bojkotit duhet të jenë të pavarur nga FSHF-ja. Pra siç ndodh rëndom në Shqipëri, edhe ky problem mund të zgjidhet privatisht. Nëse ai burri do të takohet me atë burrin tjetër, atëherë menjëherë të gjithë do të kenë datat dhe kampionatet mund të fillojnë që në mesjavë. Dhe kjo situatë nuk mund të etiketohet ndryshe, përveç përdorje e futbollit.

Ndërsa në terren situata është edhe më e pakuptimtë. Trajnerët janë lodhur nga seancat e përditëshme stërvitore, të cilat nuk kanë më një qëllim konkret, ndërkohë që kampionati po ekziston në formën e ndeshjeve miqësore. Sot përshembull do të luhet një derbi i munguar prej kohësh, Partizani – Dinamo, që do të zhvillohet në një kompleks sportiv në Elbasan. Kjo është qesharake, ndërkohë që nga ana tjetër, çdo ditë shtypi paraqet shpenzimet e mëdha të klubeve për të ndërtuar skuadrat e tyre. Ndërsa futbollin vazhdojnë ta mbajnë mbyllur nëpër mbledhje dhe nuk dihet se kur do të dalë për pak ajër të pastër.