Sulejmani “i madhërishëm” dhe “Big” Luçiano

Në një konferencë për shtyp, kur u pyet për Mladen Milinkoviç, ish-trajnerin e Luftëtarit, i cili prej kohësh vërtitet si hije në ambjentet e Partizanit, Starova tha se sa të jetë presidenti Demi edhe ai do të jetë pjesë e klubit të kuq. Dje në mbrëmje, pasi tifozët ia kërkuan me këmbëngulje, Sula ka dhënë dorëheqjen dhe nuk do të jetë më trajner i skuadrës, por kishte të drejtë për lidhjet e ngushta me numrin 1 të klubit, pasi do të kthehet sërish në detyrën e këshilltarit. Kështu që më në fund u zgjidh edhe fjalkryqi i Partizanit. Starova nuk do të jetë më trajner, por këshilltar, Moxhi nga këshilltar bëhet drejtor, ndërsa Milinkoviç e ka rrugën e lirë për të vazhduar një tjetër aventurë në Shqipëri.

Por nëse kjo ishte kërkesa e tifozëve, sigurisht që nuk duhej të merrej parasysh, pasi nuk zgjidh asgjë. Partizani i tanishëm ka drejtues me shumicë, ndërsa skuadra është e gjitha për t’u ribërë. Largimi i Ramadanit, Cetkoviçit, Torasës dhe Ekubanit do të thotë që ekipi humbi boshtin, aq sa në ndeshjet ndaj Botevit të Plovdivid, Sulejmani “I madhërishëm” e humbi fare mendjen dhe shante “live” me çfarë i dilte nga goja, këdo nga futbollistët që i kalonte pranë pankinës. Ata nuk i përgjigjeshin, pasi ndoshta edhe mundësitë i kanë shumë të kufizuara dhe kjo po, që është një arsye logjike për t’u larguar. Tani është rradha e “Big” Luçianos, që t’i japë Gaz Demit një skuadër të vërtetë dhe ambjenti i kuq të gjej sërish qetësinë.