Stolat firmato të stadiumit që ngritën në këmbë të gjithë Tiranën

Gjithmonë na ndodh që të bëhet shkak diçka, për të devijuar diskutimet për futbollin dhe për ta devijuar vëmendjen jashtë fushës së lojës. Pas ndeshjeve të fundjavës, të cilat si rrallë herë sollën një mori golash dhe rezultatesh interesante, gjithçka u fokusua tek aktet vandale të disa tifozëve, të cilët thyen, madje edhe flakën mbi kokat e njëri-tjetrit, një umër ndenjësesh të stadiumit të ri. Më pas shpërthyen deklaratat nga të katër anët, aq sa për një njeri që nuk ishte në brendësi të ngjarjes, krijohej përshtupja sikur na kishte ndopdhur sërish ndojë fatkeqësi natyrore. Tone të ashpra, kërcënime ekstreme për mëkatarët, duke lexuar nene të mbushura me penalitete që parashikojnë nga gjoba të ashpra dhe deri tek privimi i lirisë. Tani duhet të presim për të parë, se çfarë do të ndodhë në zyrat qëndrore të FSHF-së, nëse do të vazhdohet me logjikën e dënimeve kolektive, siç kanë vepruar deri tani me klubet pas çdo incidenti tifozësh, apo do të mjaftohen me delegimin e këtyre kompetencave tek specialistët e ruajtjes së rendit, meqenëse edhe personat që dëmtuan janë pothuajse të gjithë të identifikuar.

Por një gjë është e sigurtë, këta zotërinjtë e Federatës janë një takëm njerëzish të dashuruar pas parave dhe incidentet në “Qemal Stafën” e rindërtuar, i trajtuan me emocion të jashtëzakonshëm, por jo si vandalizëm që të prish humorin, por si cënim të pronës së tyre private. Kështu që nxituan të publikonin nëpërmjet gazetarëve të tyre zëmerthyer, çmimin e çdo ndenjëse të shkulur dhe me ta dëgjuar mund të kuptoje se pse kosto e impiantit modern të Tiranës ende nuk është e stabilizuar, por vazhdon e shtohet frikshëm javë pas jave. Nga 100 euro dëm kanë bërë secili prej atyre që nuk i përdorën stolat vetëm për t’u ulur, ndërkohë që kjo “katastrofë” na ka gjetur fare të pavëmendshëm për të vlerësuar se çfarë është realisht ai stadium, të cilit nëse i përmend defektet të klasifikojnë si të deklasuar. Askush nuk thotë, se klubet e interesuara për t’i zhvilluar ndeshjet e tyre në atë impiant, javë pas jave gjejnë çmime të ndryshme dhe natyrisht që kursi nuk shkon sipas çmimit të stolave. Vetëm tani e kanë kuptuar që një pjesë e fushës ka kontakte të rralla me diellin dhe na u dashka instaluar një paisje për “ta ngrohur” artificialisht. Në atë ambjent luksi, ku janë vendosur kamera survejuese edhe në dyert e ËC-ve, mungon “Goal Line Technology” dhe Partizani pëson çdo javë nga një gol fantazëm… mirëseerdhët në parkun “Air Albania Stadium”, një nga më të mirët në Europë, vetëm se për momentin është mbyllur, sepse po lyejnë stolat.