Spanjë, përse do tronditeshe nga kthimi i Luis Enrikes!

Ai mori leje dhe nuk dihej se kur do të kthehej. U përgatit për vuajtje të gjatë Luis Enrike, por ndërsa dhimbja vazhdon, fundi i tmerrshëm erdhi shpejt. Vajza e tij e vogël u shua nga sëmundja, gjithë bota u mbyt në lot dhe i doli në krah trajnerit asturian, që kishte dhënë dorëheqje nga kombëtarja e Spanjës. Duket se paska ardhur koha që ai të kthehet. Zi nuk mbahet dot gjithë jetën, jo të paktën duke dënuar veten pa punë sa të jesh gjallë, dhe Luis Enrike mesa duket ka lajmëruar në Madrid se ai është gati “të ngjitet në anije”. Sot, Federata Spanjolle e Futbollit ka konferencë për shtyp …

Edhe më e papritur se kthimi, ishte tronditja që  u krijua tek “furitë e kuqe”, pasi u mor vesh ky lajm edhe jo i konfirmuar. Trajneri i tanishëm, ish-ndihmësi i Luis Enrikes, Robert Moreno, nuk doli fare në konferencë për shtyp pas ndeshjes së fituar 5-0 ndaj Rumanisë në eleminatoret e Europianit. Burimet në ekip thanë se ishte zgjedhje e tij, e mesa duket Moreno është mërzitur që nuk do të vazhdojë (pra, nuk do të pranojë të jetë sërish ndihmës). Në kohën kur Luis Enrike u largua, Moreno deklaroi se do ta priste me lumturi kthimin e tij.

Sfidanti.al