Skoci, mendove se Kazakistani ishte si kombëtarja shqiptare!

U duk sikur po luante Franca, Spanja apo Gjermania e dikurshme, kur Skocia fitoi 4-0 në Shkodër ndaj Shqipërisë. Kombëtarja e “fustanellave” kaloi një vjeshtë të lumtur, pasi la pas edhe Izraelin për t’u kualifikuar për në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve, veçse mjaftoi fillimi i eleminatoreve të Europianit për t’u kthyer në realitet.

Një katastrofë 0-3 në fushën e Kazakistanit zgjoi të besuarit e trajnerit Aleks Meklish, dhe i bëri të kuptonin se nuk kishte qenë edhe aq shumë forca e tyre që i bëri të fitonin thellë në “Loro Boriçi”, por pazotësia e kombëtares shqiptare. Në “Astana Arena”, kazakët triumfuan me golat e shënuar nga Juri Percuh, Jan Vorogovskij dhe Baktiar Zainutdinov.

Mediat britanike bënë shaka dhe ironi me katastrofën skoceze, duke thënë se ndërsa Mbretëria e Bashkuar po vuan për shkak të Breksitit (Brexit), Skocia e futbollit rrezikon Eksitin (Ecsit), pra daljen nga Europiani. Nëse skocezët e ashpër e shohin veten kaq poshtë, çfarë mund të mendojë Shqipëria që luan sonte ndaj Turqisë?

Sfidanti.al