Skandali i Andi Koçit, tregon dy të verdhë pa e shoqëruar me karton të kuq

Java e fundit e futbollit shqiptar ka qenë e mbushur me vendime shumë të dyshimta të arbitrave, ndërkohë që ka përfunduar me një skandal të gjyqtarit durrsak, Andi Koçi. Në ndeshjen e fundit për t’u luajtur, atë të Kategorisë së Parë, midis Pogradecit dhe Apolonisë, Koçi është bërë protagonist i një vendimi të habitshëm.

Në të 16’, ndëshkoi me kartonin e verdhë Mehmetin e Apolonisë për një ndërhyrje të parregullt, ndërsa tre minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt, kur trajneri i skuadrës fierake vendosin ta zëvendësojë futbollistin, arbitri i tregoi edhe një karton tjetër të verdhë, për vonesë në daljen nga fusha. Më pas, çuditërisht lejoi ndërrimin, pa e shoqëruar dënimin me karton të kuq. Kështu, Apolonia e vazhdoi pjesën e mbetur të takimit po me 11 futbollistë në fushë, e fitoi ndeshjen 0-1, ndërsa për ironi, Andi Koçi, pikërisht me 90 minutëshin e Pogradecit, inaguroi stemën e FIFA-s që sapo e ka marrë.