Shëndeti i pari, Anglia ndalon fëmijët deri 12 vjeç të godasin topin me kokë!

Një rregull që mund të quhet revolucionar, që sjell një ndryshim të madh, por që është rrjedhojë e zhvillimit të ndërgjegjjes njerëzore dhe shkencës. Federatat e futbollit në Angli, Skoci dhe Irlandën e Veriut, pra thuajse në të gjithë Britaninë e Madhe, vendosën të ndalonin goditjen e topit me kokë nga fëmijët deri në moshën 12 vjeç. Kjo, pas studimeve se një gjë e tillë shkakton dëme në trurin e fëmijëve, dhe nxit sëmundje të degjenerimit nervor (sëmundje neurodegjenerative). Sipas studimeve, futbollistët kanë tri herë e gjysmë më shumë të prekur sesa njerëzit e tjerë nga sëmundje të tilla.

Kjo do të thotë se fëmijët e moshave nga 6 (kur zakonisht nisin futbollin) deri në 12 vjeç nuk do të lejohet të godasin topin me kokë. Më pas, kockat e kafkës forcohen aq shumë sa të mos lejojnë që goditjet e topit të sjellin dëmtim në tru. Me gjasë, pritet që ky rregull të miratohet edhe në Uells, dhe padyshim edhe në Europë, e pjesë të tjera të botës. Vendimi i anglezëve, por edhe i skocezëve dhe veriirlandezëve, është i rëndësishëm, sepse futbolli u krijua si lojë moderne pikërisht në ishujt britanikë.

Sfidanti.al