River Plejti vë në dyshim sezonin në Argjentinë, Maradona e përkrah!

Kampionati filloi përsëri, por me një mungesë të madhe. Në Argjentinë, vërtet Boka Juniors e nisi me fitore 4-1 në fushën e Godoi Kruzit, por rivali më i madh i kampionëve, River Plejti, refuzoi të luante. Mediat argjentinase informojnëse klubi kryeqytetas nuk doli në fushë ndaj Atletikos së Tukumanit, duke deklaruar se përparësi për të mbetet mbrojtja e shëndetit të lojtarëve, dhe pastaj kampionati i futbollit.

Skuadra e trajnerit Gajardo thjesht u stërvit në stadiumin e boshatisur “Monumental” në Buenos Aires, diçka që në Europë as nuk guxojnë ta bëjnë në Serinë A, Premier Ligë, La Liga apo Bundesligë. Të mbiquajturit “Los Milionarios”, pra milionerët, kishin luajtur pak ditë më parë ndeshjen e Kupës Libertadores ndaj Deportivo Binasionalit, të fituar 8-0. Në Argjentinë, Riveri pranoi të luante vetëm ndeshjen e të rinjve, në kampionatin e rezervave, që zhvillohet në një fushë të thjeshtë futbolli, dhe pa ndonjë publik të pranishëm.

Pritet të ketë sanksione ndaj skuadrës rekordmene të titujve, pasi rregullorja parashikon humbjen e ndeshjes në tavolinë, heqjen e 3 pikëve nga renditja, si dhe gjobë. Gjithsesi, në krah të River Plejtit doli legjenda e futbollit botëror, Diego Armando Maradona, i cili e mbështeti vendimin.

“Unë kam qenë gjithnjë me futbollistët dhe do të jem gjithnjë me ta, – u shpreh ai, – Riveri vendosi të mos luante për të mirën e lojtarëve, dhe unë e mbështes këtë vendim si të drejtë. Lojtarët nuk duhet të vdesin”. Nuk dihet se çfarë do të bëjë më tej Federata Argjentinase, por ka mundësi që nga presioni i madh ta ndalojë kampionatin e futbollit.

Sfidanti.al