Rikthehet derbi i Beogradit, i 200-ti, fituan 20 000 tifozë apo virusi?!

Në fushën e lojës ishte e qartë që fitoi Partizani. Skuadra bardhezi triumfoi minimalisht 1-0 ndaj rivalit qytetës, Crvena Zvezda, dhe u kualifikua për në finalen e Kupës së Serbisë. Gjithsesi, derbi i Beogradit, “derbi i përjetshëm” sipas zhargonit vendas, do të mbahet mend më shumë jo edhe aq për një fitore 1-0, sesa për faktin se 20 000 tifozë ishin në stadium, në një kohë që futbolli dhe njerëzimi ende dridhen nga frika e koronavirusit.

Që kur u lajmërua vendimi i autoriteteve shëndetësore dhe atyre të futbollit, pati debat të madh dhe shumë hipoteza. A do të shkonin tifozët në stadium, ndërsa distancimi fizik as që mund të mendohej? A do të ndodhë rikthim i rasteve të virusit, pikërisht për shkak të pjesëmarrjes së lartë? Përgjigja për pyetjen e parë erdhi që përpara ndeshjes, ndërsa gazetari i televizionit “N1” raportonte se 15 000 tifozë kishin blerë bileta, dhe 5 000 të tjerë ishin në stadium si abonentë të Partizanit. Pyetja e dytë do të dojë pak kohë për të marrë përgjigje. Partizani fitoi 1-0 me gol të shënuar nga Umar Sadik, duke qenë ky një sukses jubilar sepse ishte derbi numër 200 mes këtyre skuadrave.

Sfidanti.al