Riberi dënohet për arbitrin, por jo për trajnerin Montela!

Njihet si tepër nervoz dhe kur i ikën mendja nuk di se çfarë bën. Frank Riberi ka qenë gjithnjë kështu, një gjeni futbolli me nerva “të kërcyera”, ndërsa në ndeshjen Fiorentina-Lacio u kap sidomos me arbitrin anësor, por edhe me trajnerin e tij, Vinçenco Montela. Për veprimin e parë, shtyrjen e arbitrit, Komisioni i Disiplinës në Ligën e Futbollit e dënoi francezin me 3 ndeshje pezullim. Dënimi më i rëndë do të kishte qenë 4 takime, por ish-ylli i Bajernit u kursye disi. Për gjaknxehtësinë ndaj trajnerit të tij nuk pati ndonjë ndëshkim për Riberinë, dhe zakonisht këto gjëra nuk gjobiten apo dënohen nga klubet përkatës. Madje, Montela deklaroi pas ndeshjes se “më pëlqen që Riberi nxehet sepse tregon se ai dëshiron të luajë dhe jo të dalë nga fusha”. Gjithsesi, në momentin që ndodhi, trajneri nuk është se duhet të ketë qenë aq i qetë.

Sfidanti.al