Rejnxhërs fiton derbin e Gllazgout me Sëlltikun, triumf i Xherrardit!

Si lojtar, ambicien e ka pasur të papërmbajtur, edhe pse nuk fitoi dot një titull kampion. Atë që nuk e bëri i mbathur me këpucët me thumba, Stiven Xherrard synon ta bëjë si trajner, dhe fitorja e derbit më të vjetër të botës është dëshmia më e mirë se është në rrugë të drejtë. Ish-kapiteni i Liverpulit udhëhoqi Gllazgou Rejnxhërsin në triumfin ndaj Sëlltikut, madje në fushën e këtij të fundit, në “Sëlltik Park”, duke pasur shanse tani për t’u ngjitur në krye të tabelës.

Rajan Kent kaloi miqtë në epërsi në minutën e 36-të, por Odson Eduard barazoi për gëzimin e gati 60 000 tifozëve. Në nisje të pjesës së dytë, në minutën e 56-të, Rejnxhërsi shënoi golin e fitores me autor Nikola Katiçin. Sëlltiku vazhdon të kryesojë me 52 pikë ndaj 50 të Rejnxhërsit, por skuadra e Xherrardit ka edhe një ndeshje për të luajtur. Blutë e Gllazgout shpresojnë t’i japin fund “diktaturës” së “jeshilëve” që janë shpallur 8 herë radhazi kampionë të Skocisë, dhe që kanë tani 52 tituj ndaj 54 të Rejnxhërsit.

Sfidanti.al