Reali e kërkon me zjarr, por Bajerni e hedh poshtë Superligën europiane!

Duket se koncepti është tepër i ri për të hedhur rrënjë. Me gjasë do të duhet shumë më tepër kohë që në kontinentin e vjetër të mësohen me një realitet të ri, në të cilin skuadrat më të mëdha të ligave të mëdha të mos jenë më pjesë e kampionateve të tyre kombëtare, ose ta kenë kampionatin si diçka të dorës së dytë. Pra, të jenë në një Superligë europiane.

Shefi ekzekutiv i Bajernit, Karl-Hajnc Rumenige, një nga legjendat më të mëdha të gjalla të futbollit, në të njëjtën kohë që është pro ndryshimit historik në Gjermani lidhur me aksionet e klubeve, gjykon se Superliga europiane do të ishte e dëmshme për kampionatet kombëtare. “Nëse do të isha unë që do të vendosja për Bajernin, do ta refuzoja, – thekson ai, – e kuptoj se ata që e duan Superligën, mendojnë për rritjen e të ardhurave në të ardhmen, pra që do të kishte interes ekonomik, por një gjë e tillë do ta rrezikonte shumë bukurinë e futbollit siç e njohim ne sot”.

Mesa duket ky koncept do të duhet të presë edhe disa vjet, pse jo edhe disa dekada, përderisa tradita e ligave të mëdha si Premier Liga, Bundesliga, La Liga, Seria A dhe Liga e Parë e Francës është shumë e gjatë, dhe këto kampionate janë shumë të dashur për publikun. Presidenti i Realit, Florentino Perez, është një “avokat” i hapur i Superligës europiane, dhe kjo ide shihet pozitivisht nga Liverpuli e Mançester Junajtidi, por jo nga Barcelona, nga Juventusi dhe nga klube të tjerë anglezë. Edhe UEFA e FIFA janë kundër idesë.

Sfidanti.al