Reali e Barcelona, “El Klasiko” edhe për talentet e Akademive!

“El Klasiko” mes Realit dhe Barcelonës nuk njeh limit. Klubi mbretëror spanjoll nuk mund të rreshtë së bëri duel me atë që vetëquhet “Më shumë se një klub”. Pas futbollit në të gjitha kategoritë, dhe pas basketbollit, ja edhe një konkurrim tjetër.

Cili nga dy gjigandët e Spanjës ka akademinë më të mirë? E kotë të shtohet se bëhet fjalë për dy akademitë më të mëdha të botës. Kush e fiton këtë “kampionat”? Përgjigja e menduar është Barcelona, por në mënyrën sesi e ndërton klasifikimin CIES (Observatori i specializuar i futbollit), në vend të parë del Reali.

Renditja përcaktohet nga numri i lojtarëve të prodhuar në akademitë e tyre, që luajnë në 5 ligat kryesore të Europës (Spanjë, Angli, Gjermani, Itali, Francë). Madrilenët kanë 41 lojtarë të vetët në to, Barça vjen e dyta me 37, ndërsa në vendin e tretë është Mançester Junajtid me 34. Klubi më i mirë italian është Roma, që gjendet në vendin e 7-të me 24 lojtarë të furnizuar në ligat e mëdha.

B. Kuka