Reali dhe Juventusi, duel i madh për “të pabesin” Xhixho Donaruma!

Xhixho Donaruma do të shkojë tek Reali, jo tek Juventusi! Mediat dhe agjentët kanë nisur të “përleshen” thjesht për të parashikuar saktë të ardhmen e portierit të Milanit, që nuk do të jetë më i Milanit. Gazeta “AS” thotë se Donaruma do të luajë për Realin, ndërsa një ish-yll i Milanit, Daniele Masaro pohon se “mendoj që ai do të shkojë tek Juventusi”. Komentet janë të shumta vetëm pak orë pasi adoleshenti i portës vendosi të refuzonte rinovimin me Milanin, duke e bërë largimin këtë verë, të pashmangshëm.

Gjithsesi, në këtë klimë disi sipërfaqësore, është një zë që tregon diçka të thelbit të këtij portieri 18-vjeçar, diçka që ndoshta mund të mos u bëjë përshtypje atyre që duan vetëm fitimet, tek Reali, Juventusi apo Mançester Junajtidi. Ky “zë” vjen nga Xhokondo Martoreli, njeriu që pretendon se zbuloi talentin e Donarumës dhe nisi të interesohej për të.

“Ndokujt mund të mos i vijë mirë, por e vërteta është se isha unë që e parashikova këtë që do të ndodhte”, – tha Martoreli. Pata fatin të shoh Donarumën kur ishte 10 vjeç dhe ishte e lehtë të kuptoja se ishte një talent i madh, – vazhdoi ai, – i telefonova menjëherë Auzilios tek Interi dhe për 3 vjet e gjysmë e ndoqëm portierin e vogël. U takuam, përfundimisht, me Xhixhon dhe prindërit e tij për të firmosur një akord me Interin, por një ditë më vonë ai shkoi në Milano dhe firmosi për Milanin”.

Kjo, sipas Martorelit, pa njoftuar aspak për vendimin që kishte marrë, pa ndershmëri, dhe kjo gjë e shtyu atë që të besonte se një tradhëti e tillë do të ndodhte edhe tek Milani.

Sfidanti.aldonaruma marka