Qetësia e Egbosë dhe tensioni i Stankoviçit, gjithçka flet vetë!

Trajneri nigeriano-shqiptar i Tiranës e la fushën e “Arenës Air Albania” me ndjenjë të dyfishtë. Së pari, Emanuel Egbo ishte krenar për atë që ekipi i tij dha në fushë përballë një kundërshtari shumë superior në potencial, aq sa iu afrua kualifikimit. Së dyti, ishte keqardhja e thellë që fati doli kundër, dhe u humbën rastet që mund të sillnin fitoren. Gjithsesi, si një njeri i kompletuar, i kulturuar dhe i fortë në parime, Egbo nuk e pati të vështirë të mblidhte veten kur erdhi koha të fliste para kamerave.

“Nuk jam fare i mërzitur, jam shumë i kënaqur me ekipin dhe me lojtarët, – tha ai, – dhamë maksimumin në fushë dhe mund të kishim fituar. Nuk ia dolëm edhe sepse kundërshtari ishte i fortë, edhe sepse nuk kishim mjaftueshëm lojtarë për të bërë ndërrime. Lojtarët e ardhur tani nuk kanë formën e duhur, do të na hyjnë në punë më vonë. Me ndihmën e Zotit, do të ecim përpara”. Egbo foli së pari si trajner që e njeh punën e tij, që ka qenë i drejtë me lojtarët e tij, por po ashtu edhe si besimtar që është, nga ata besimtarët e sinqertë, që nuk e kanë besimin si mënyrë për të siguruar jetesën, por si mënyrë për të jetuar. Njerëz të cilët ia vlen të respektohen edhe nga ata që mendojnë ndryshe, që nuk besojnë, njerëz të cilët padyshim janë edhe tolerantë, edhe miqësorë.

Në krahun tjetër, Dejan Stankoviç doli i stresuar në konferencën për shtyp. Trajneri i Crvena Zvezdës, një personalitet i futbollit serb dhe europian, pranoi se kishte pasur momente që kishte qenë i tensionuar, dhe vlerësoi Tiranën për lojën që zhvilloi. Natyrisht, vlerësoi edhe ekipin e tij që nuk u dorëzua, dhe premtoi se në të ardhmen do të ishte në fushë një Zvezdë më e mirë. Stankoviçi u largua nga Shqipëria me përshtypjet më të mira, pas një pritjeje shembullore për të dhe për Zvezdën, diçka që padyshim do të ndihmojë që në Serbi njerëzit t’i hapin më shumë sytë, e të kenë më pak paragjykime.

Sfidanti.al