Qendra thërret urgjent arbitrat, ndoshta dikush ka keqkuptuar urdhërat

Më në fund, në Federatën Shqiptare të Futbollit janë preokupuar për imazhin e tyre dhe ky në fakt është një lajm që nuk duhet injoruar. Mediat raportojunë, se në prag të kësaj jave futbollistike që starton me derbin Tirana – Partizani, arbitrat janë thirrur në selinë që drejton futbollin dhe dikush i ka bërë për ujë të ftohtë. Tani mëdyshja mbetet, nëse ky është një lajm i mirë, apo e kundërta. Nëse zyrtarët tanë kanë vendosur të vënë dorë për të përmirësuar disi situatën, apo ajo u ka dalë jashtë kontrollit… dhe kjo është vërtetë dilemë. Në kushte normale do të ishte një takim i zakonshëm, por kjo jo tek ne, sepse këtu është thjeshtë ironike. Pasi i kanë urdhëruar sistematikisht, për të qenë ata protagonistët e vërtetë të garës, i nxitën të jepnin tituj të mëdhenj apo të bënin dëme të mëdha me vërshëllima, i shpërfytyruan pa pasur pikën e mëshirës, ky takim nuk mund të jetë tjetër, përveçse një shfaqe qesharake. Vetëm këta dinë të hapin e mbyllin me aq elegancë perdet e këtij teatri të shëmtuar, ndërsa arbitrat janë vetëm suflerët që thërrasin pa zë skenarin e shkruar në Rrugën e Elbasanit.
Po nga të njëjtat burime mësohet, se i pranishëm në atë mbledhje që tronditi edhe fëmijën në barkun e nënës ishte edhe i madhi, presidenti i institucionit. Nga raportimet ekskluzive njoftohet, se shefi nuk i la fjalë pa thënë të pandërgjegjëshmëve, të cilët kanë filluar të bëjnë gabime njerëzore pa fund. Por edhe kjo është ironi më vete, pasi thirrjet për t’u karrigjuar nuk janë në stilin e anëtarit Duka, të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Nëse do të kishte ndonjë gjë që nuk i ka pëlqyer, tashmë dikush do të ishte përzënë dhe lajmin do ta mësonte pas 2-3 muajsh. Kështu që mbledhja do të ketë qenë thjeshtë rutinë, ndoshta dikush nuk i ka kuptuar mirë urdhërat dhe kaq…