PSG shton rekordet duke fituar Kupën, por Mbape rrezikon Championsin!

Një lajm i mirë dhe një shumë i keq. Përfundoi kështu “e premtja e zezë” për Paris SG, ndërsa kryeqytetasit fituan Kupën e Francës, dhe humbën për dëmtim në ndeshjen finale, yllin kryesor, Kilian Mbape. Kjo ishte kupa numër 13 për parizienët, një revansh pas humbjes së rëndë të vitit të kaluar, dhe përcaktuar me golin e vetëm të shënuar nga Nejmar që në pjesën e parë. PSG nuk arriti të bënte më shumë, pasi mesa duket lojtarët ishin të tronditur nga dëmtimi i Mbapesë, dhe nuk shfrytëzuan dot epërsinë numerike pas përjashtimit të kapitenit të Sent Etienit. PSG ka në histori edhe 9 tituj kampion, 8 Kupa të Ligës (rekord), 9 trofe të kampionëve (superkupë-rekord), 1 Kupë të Kupave të Europës dhe një Kupë Intertoto. Po ashtu, një titull në ligën e dytë në kohën e themelimit në 1971.

Sfidanti.al