Privilegjet e futbollit, në Angli liga vazhdon dhe pse infektimet janë më shumë se publiku!

Këto kohë lojtarët e Premier Ligës dhe të tri ligave të tjera profesioniste po rezultojnë pozitivë me koronavirus më shumë sesa popullsia britanike. Mediat raportojnë se mesatarja e të infektuarve të futbollit arrin në 3.9 për qind të të testuarve, ndërsa për publikun e thjeshtë kjo shifër është gati dy herë më e vogël, 2.06 për qind. Pavarësisht kësaj, futbolli vazhdon të luhet në kampionate, në Kupën e Anglisë dhe në atë të Ligës, ndërsa qeveria e zotit Xhonson ka vendosur kufizime drakonike për njerëzit e thjeshtë. Nëse qytetarët shkelin rregullat, gjobiten nga policia, ndërsa shkeljet e futbollistëve shihen hapur në televizor, por nuk ndalohen. Një privilegj për njerëzit që hyjnë në shtresën e milionerëve pasi ata të Premier Ligës marrin mesatarisht mbi 3 milionë paundë stërlina në vit, ndërsa në kategorinë e dytë mesatarisht mbi 550 000 euro në vit. Sipas mediave angleze, shkaku kryesor i rritjes së rasteve të koronavirusit tek futbollistët janë shkeljet që i bëjnë ata ligjeve nëpërmjet festave private, por edhe për shkak të përqafimit që ndodh pas golave të shënuar.

Sfidanti.al