Prag Gjermani-Francë, sa shumë mungesa, por spektakli nuk do mungojë!

Udhëtimi nuk ishte shumë i gjatë, ashtu siç preferohet. Nuk do shumë kohë që, me aeroplan, të shkosh nga Madridi në Shtutgart, dhe kombëtarja spanjolle e futbollit ndihet e gatshme për një sfidë vërtet të madhe. Luhet në fushën e Gjermanisë në Ligën e Kombeve, ndërsa kapiteni i ekipit, Sergio Ramos, mund të barazojë ose të thyejë një rekord. Veterani i Realit të Madridit ka shënuar 21 gola për “furitë e kuqe”, dhe mund të arrijë ose të kalojë sonte, legjendën e Argjentinës, Daniel Pasarelën, që është mbrojtësi me më shumë gola në botë me kombëtaret, me 22.

Ramosi u pyet për këtë në konferencën për shtyp, dhe lojtari me më shumë ndeshje për Spanjën, 170, theksoi se rekordi do të ishte diçka e bukur, ndërsa u ngacmua edhe për Lionel Mesin. “Mesi e ka fituar të drejtën për t’u larguar nga Barcelona atëherë kur të dojë ai, – tha Ramosi, – por, nuk e di nëse po e bën në mënyrën e duhur. Sa për mua, do të mërzitesha nëse do të ndodhte, pasi një lojtar si Mesi e rrit shumë nivelin e kampionatit tonë”.

Gjithsesi, rëndësi ka sot ndeshja pasi Spanja dëshiron të kthehet në kohët e dikurshme kur fitonte trofe diçka që nuk ndodh që nga viti 2012.  Të paktën, ekipi është më i qetë në prag të ndeshjes së orës 20:45 në stadiumin “Mercedes-Benc Arena” të Shtutgartit, si dhe ka 11 sfida pa humbje. Trajneri Luis Enrike, që u largua nga detyra për shkak të sëmundjes së vajzës së tij të ndjerë, u kthye disa muaj më vonë, duke krijuar pakënaqësi të ish-ndihmësit të tij, Moreno, por tashmë kjo është e kaluar. Tek Spanja për herë të parë thirret ylli i ri i Barcelonës, Ansu Fati, ndërsa janë Erik Garsia, Ferran Torres dhe Oskar Rodrigez.

Gjermania vendase, ndërkaq, ka 7 fitore radhazi, dhe mund të mbështetet tek disa lojtarë shumë të mirë, ndonëse mungesat do të jenë të mëdha. Kampionët e Europës me Bajernin, Nojer, Kimih, Gnabri e Gorecka janë lënë pushim, dhe jashtë janë edhe dy lojtarë të Lajpcigut. Pritet që Timo Verner të jetë në formacion, ashtu si edhe ylli ri I, Kai Haverc, apo Gosens i Atalantës.

Trajneri Joakim Lëv ka presion që ekipi të kthehet në formën e dikurshme kur fitonte Kupën e Botës në 2012. “Nuk do të jetë e lehtë të jemi në formë për të luajtur 90 minuta, – tha Lëvi, – ka lojtarë që janë stërvitur për shumë javë, por ka nga ata që kanë qenë thuajse pushim. Do të luajmë me më të mirët e mundshëm. Sane dhe Zyle do të jenë titullarë”. Gjermania e Spanja janë mësuar të ndeshen në duele për titull, por megjithë emrin e madh, ka shumë vite që kjo gjë nuk ka ndodhur.

Sfidanti.al