Po vjen titulli pas 11 vjetësh, tifozët e Rejnxhërsit nuk pyesin për karantinë!

Ekipit të tyre i duhet edhe një pikë për t’u shpallur kampion i Skocisë, për herë të parë që nga 2010-ta, një pritje që tifozët e “policëve” të Gllazgout nuk ishin mësuar ta provonin. Gjithsesi, Rejnxhërsi triumfoi 3-0 ndaj Sent Mirrenit dhe titulli është fare pranë, ndaj edhe qindra tifozë të qytetit më të madh të Skocisë nuk duruan aspak, por “si të lëshuar nga zinxhirët” u mblodhën pranë stadiumit “Ajbroks”. Festa e tyre ishte e madhe, me flakadanë e tymuese, ndërsa policia e tregoi veten aty, por gjithsesi si spektatore. Futbollistët dolën tek dera e jashtme e stadiumit dhe përshëndetën tifozët, ndërsa trajneri Stiven Xherrard doli në dritare nga salla ku ishte izoluar për shkak të pezullimit me 1 ndeshje nga Disiplina. Gllazgou Rejnxhërsi mund ta fitojë Premier Ligën e Skocisë javën e ardhshme, pikërisht në ndeshjen derbin ndaj Sëlltikut, nëse e fiton, por mund të shpallet kampion edhe këtë të diel nëse Sëlltiku nuk e fiton ndeshjen e tij ndaj Dandi Junajtidit.

Sfidanti.al