Pepi pati një tjetër plan magjik për të mundur Junajtidin!

Një tjetër derbi i fituar, dhe një përgjigje pas disfatës së kampionatit. Mançester Siti mbetet një skuadër e madhe, siç e tregoi në duelin në “Old Traford” ndaj Mançester Junajtidit vendas. Pep Guardiola, siç thekson BBC-ja, shkoi në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës me një plan të ri, që gjithashtu pati sukses, një tjetër kryevepër e trajnerit katalanas që vërtet ka humbur shpresën në kampionat (vërtet?), por që mund të fitojë trofe të tjerë. Suksesi i Sitit ishte 3-1, një avantazh i rëndësishëm për gjysmëfinalen e kthimit në 29 janar në “Etihad”.

“Qytetarët” janë me një këmbë e gjysmë në finale, ndërsa janë fitues në fuqi të Kupës së Ligës. Ata dominuan pjesën e parë duke shënuar 3 gola pa pësuar asnjë. Autorë ishin Bernardo Silva, Rijad Mahrez dhe Andreas Pereira (autogol). Pas pushimit, Junajtidi ishte më lart duke shënuar një gol me Rashfordin në 70’. “Ne mund të kishim realizuar 4 apo 5 në pjesën e parë, – tha Silva, – sepse i patëm rastet. U kënaqa me pozicionin tim të ri, pasi Pepi dëshironte një lojtar më shumë në mesfushë”. Guardiola u ngacmua nga një gazetar në radio, se “kjo ishte një kryevepër”, por trajneri i Sitit u përgjigj: “Përse duhet ta quani një kryevepër?”

Sfidanti.al