Penallti për Sitin? Nuk ishte, thotë gjyqtari i FIFA-s, Klatenburg!

Pep Guardiola u tërbua me gjyqtarët e ndeshjes në “Anfild” duke pretenduar dy penallti, por një ekspert i gjykimit si Mark Klatenburg mendon ndryshe. Ish-arbitri i FIFA-s, duke folur për “Deili Meilin”, sqaroi se penalltia e parë që pretendon Siti nuk duhej të jepej, sepse topi u shty përpara nga krahu i Bernardo Silvës, dhe pastaj goditi krahun e Aleksandër-Arnoldit. Klatenburgu kritikoi edhe shpjegimin zyrtar të dhënë nga Premier Liga.

“VAR-i dhe Majkëll Oliveri bënë veprimin e duhur që dhanë golin e Liverpulit, dhe jo penallti për Sitin, – ishte versioni i Klatenburgut, – Ishte krahu i Bernardo Silvës që e devijoi topin tek Aleksandër-Arnoldi, prandaj mendoj se loja nuk duhej të kthehej prapa, por të vazhdohej. Nuk jam dakord me shpjegimin e Premier Ligës, që thotë se penalltia nuk u dha sepse Aleksandër-Arnold e preku topin pa dashje. Prekja e tij ishte për penallti, por e ndihmoi prekja e mëparshme e Silvës”.

Sfidanti.al