Partizani, shtatë minuta në ëndërr, më pas shpërthen Ekuban

Mrekulli në Antalia, Fenerbahçe – Partizani… kështu ishte konceptuar njoftimi zyrtar i klubit turk, në prag të ndeshjes ndaj nënkampionëve të Shqipërisë. Por në shtatë minutat e para, skuadra jonë ishte thjeshtë në ëndërr, shumë larg reputacionit të saj. Inferiore në fushë dhe gabime foshnjarake, kështu që takimi filloi 2-0 për skuadrën nga Stambolli. Pas disa minutash, duke vazhduar deri në fund të takimit, edhe tanët filluan të luanin lirshëm, e përmirësuan ndjeshëm lojën dhe kështu që në fushë ishte edhe Partizani e takimi u bë shumë më i këndshëm. Në pjesën e parë diferencën tek tanët e bën Trashi, ndërsa në të dytën është Ekuban që ka hutuar edhe menaxherët e pranishëm në stadium. Shënoi një gol të mrekullueshëm, por edhe shpërdoroi një mundësi tjetër në fund të takimit.

Partizani duket se ka gjetur edhe Mazrekajn, për të cilin kishte 32 minuta në dispozicion dhe ishte autor i një asisti të mrekullueshëm për Ekuban. Asnjë minutë për Bonifejs, të transferuar me bujë nga Trepça 89’, pasi duket se sulmuesi nuk është ende në kondicion, për t’iu përgjigjur ritmit të pjesës tjetër të skuadrës. Ndërsa sot, me skuadrën do të bashkohet edhe Cetkoviç, mesfushori që është një njohje e vjetër për kampionatin shqiptar, pasi mëparë ka luajtur edhe për Laçin.