Partizani e Flamurtari, legjendat e dikurshme që po u mungon karantina

Ne qenkemi shumë konservator për të ndryshuar qoftë edhe pas karantinimeve dhe frikës së viruseve. Tani që rifilloi jeta, u kthye edhe futbolli, por sërish asgjë nuk ka ndryshuar. Si gjithnjë, skuadrat në këtë fazë të kampionatit shënojë lehtësisht, duke përmirësuar rekordet javë pas jave, mungesa e tifozëve të jep përshtypjen e një situate të zakonshme, ndërkohë që historia është deformuar aq shumë, saqë nuk bën më efekt as se si vit pas viti çmontohen monumentet e legjendave të dikurshme dhe shiten për skrap. Partizani është skuadra e merkatos së madhe të verës, ku u afruan një mori futbollistësh që besohej se do të përmirësonin imazhin e kampionëve, po që nga ajo kohë gjithçka ka shkuar për keq dhe tashmë ish-ekipi i Skënder Gegës ndodhet vetëm një pikë larg zonës “play out”. Por veç të tjerash, Partizani duket një skuadër fare e çorientuar, e cila e ka humbur logjikën, ndërsa trajneri Sormani tregon nervozizëm ekstrem që në hartimin e formacionit. Tashmë nuk ka më vend as për Hoxhen në portën, as për Çinarin, ndërsa Mala që u karantinua disa muaj më shumë se pjesa tjetër e popullsisë, mundet të gjejë ndonjë vend si mbrojtës krahu, me kusht që të dëmtohet dikush. Dhe përfundimi është, se nevojitet stërmundim që kjo skuadër të shënojë dhe të vërë në vështirësi, si në kohët përpara se “të përmirësohej” me merkato, ndërkohë që ka pësuar deri tani 3-fishin e golave të sezonit të kaluar, ndërkohë që mungon ende edhe një fazë për t’u mbyllur kampionati i sivjetshëm.

Ndërsa që nga dje, Flamurtari është edhe matematikisht skuadër e Kategorisë së Parë. Por më i dhimbshëm nuk është fakti që u denigrua, u përçmua, u la si të ishte një gjë e harruar pa vlerë, pra si një histori e tanishme e shkruar plot me gabime ortografike. Më e dhimbshmja është se u harrua edhe nga vetë ata që e kanë dashur, pra nuk u bëri më përshtypje se po turpëronin një nga simbolet e Vlorës. Dhe kështu, Flamurtari doli, ashtu siç e kishin parashikuar ata që e drejtuan: I papaguar, i rreckosur dhe pa bërë asnjë rezistencë. Madje për këtë skuadër është mirë të mos kujtohen më histori të vjetra, pasi nuk ka lidhje me to… Thjeshtë quhej Flamurtari, por ishte një keqkuptim.