Parizienët gati të shesin të gjithë yjet me përjashtim të Mbapesë!

Një ofertë e jashtëzakonshme do të përgatitet për të. Paris SG është gati t’i japë Kilian Mbapesë një rrogë stratosferike, ndoshta 50 milionë euro në sezon, në mënyrë që të mos lejojë t’i largohet lojtari më i mirë francez i momentit, dhe potencialisht lojtari më i mirë i botës vitet e ardhshme. Mediat raportojnë për planin që sheikët e Katarit kanë për të ardhmen e klubit, dhe ku përfshihet edhe shitja e të gjithë lojtarëve kryesorë (nëse do të vijnë ofertat e duhura), me përjashtim të 21-vjeçarit.

Kjo do të thotë se PSG ka vendosur të mbështesë projektin e ri tek Mbape, dhe të lejojë që Nejmar të kthehet tek Barcelona, kuptohet kundrejt një shifre rrotull 200 milionë eurove. Mund të mendohet që edhe lojtarë të tjerë si Kavani, Verrati, Tiago Silva apo Markinjos të kenë klauzola të caktuara nëse do të largohen. Me gjasë, PSG po mendon për të qenë brenda rregullave financiare të UEFA-s, për të mos pësuar dënim, si dhe për të nisur një epokë të re të klubit. Ndoshta, nga Barcelona mund të vijë Antuan Grizman, dhe të krijohet dyshja e sulmit e kombëtares së Francës. Parizieët ndoshta do të largojnë trajnerin Tuhel, që nuk ka marrëdhënie të mira me Mbapenë, por ndërkaq vetë Mbape duhet të bëjë më shumë për të rregulluar marrëdhëniet me tifozët.

Sfidanti.al