Nga goli i Jasir Asanit te kualifikimi i Xhakës, shqiptarët sfidojnë koronën në Europë!

Ishte ndeshja e parë e sezonit të ri. Duhej jo vetëm fitore, por edhe një nisje e mirë nga ana personale, dhe Jasir Asani i bëri që të dyja. Sulmuesi i huazuar nga Partizani tek AIK-u në elitën e futbollit në Suedi, realizoi golin e tij të parë, duke rritur shpresat se mund të vazhdojë karrierën në Skandinavi. Asani i vuri vulën fitores 2-0 të AIK-ut në fushën e Orebros, në javën e parë të Allsvenskas, dhe kjo ndodhi në sekondat e fundit. Ai është dhënë hua nga kampionia e Shqipërisë, pasi luajti fazën e parë në Superligën shqiptare, dhe shpresa është që suedezët ta blejnë përfundimisht kartonin.

Një tjetër sukses i futbollistëve shqiptarë ndodhi në Zvicër. Në një ndeshje shumë të fortë e të vështirë, kapiteni i Bazelit, Taulant Xhaka, e pa veten në gjysmëfinalen e Kupës. Bazeli luajti në fushën e Lozanës, një ekipi ku bën pjesë sulmuesi Andi Zeqiri. Njëzetvjeçari, që ka luajtur për ekipet kombëtare të moshave të Zvicrës, gjeti edhe rrugën e rrjetës në minutën e 72-të, duke shkurtuar diferencën e golave në 1-2. Ai mundet të zgjedhë që të luajë për Kosovën, ndërsa ka pasur takime me Federatën.

Duke u kthyer tek ndeshja e Kupës së Zvicrës, ajo u vendos në kohën shtesë, në minutën e 107-të kur shënoi Vidmer. Për Bazelin, u aktivizuan edhe dy lojtarë të tjerë me origjinë shqiptare, Qemal Ademi dhe Orges Bunjaku.

Sfidanti.al