Myrto Uzuni, një “hero hungarez” që synon historinë në Champions me Ferencvaroshin!

Është pranë një momenti histori. Myrto Uzuni i ka të gjitha mundësitë të hyjë në historinë e një klubi të famshëm europian si Ferencvaroshi, që është në prag të kualifikimit për në fazën e grupeve në Champions. Hungarezët me kaq shumë traditë barazuan 3-3 në fushën e Moldes në Norvegji, dhe kanë shanse të mëdha që të dalin me sukses nga plej ofi, ndërsa Uzuni ishte sërish hero duke shënuar një nga golat. Sulmuesi i kombëtares shqiptare realizoi për epërsinë momentale 2-0.

Hera e fundit që Ferencvaroshi ishte në grupet e Championsit ndodhi 25 vjet më parë kur ishin në grup me Realin e Madridit, Ajaksin kampion të Europës dhe Grashopersin zviceran. Uzuni ishte protagonist edhe në turin e tretë eleminator kur shënoi golin e fitores 2-1 në Budapest ndaj Dinamos së Zagrebit, dhe padyshim është njëri nga lojtarët më të mirë të ekipit.

“Jam shumë i lumtur që ndihmova skuadrën, – u shpreh beratasi pas ndeshjes, – ishte e vështirë sepse Molde përmbysi rezultatin, por treguam karakter në momentin më të vështirë. Shpresojmë t’ia dalim, por ende nuk kemi arritur asgjë”. Uzuni ka veshur një fanelë që për gati një shekull e kanë mbatur në shpinë sulmues nga më të mëdhenjtë e futbollit.

Të tillë si Doktor Gjorgji Sharoshi, Jozef Takaç, Imre Shloser, Jozef Pokorni, Ferenc Deak dhe i fundit i madh, Florian Albert në vitet 60-të. Falë tyre, Ferencvaroshi fitoi Kupën e Qyteteve Panaire, ish-Kupa UEFA në 1965 në finalen ndaj Juventusit, luajti dy finale të tjera europiane, fitoi Kupën Mitropa përpara Luftës së Dytë Botërore, dhe arriti gjysmëfinalen e Kupës UEFA. Falë investimeve të mëdha në futbollin hungarez në 10 vitet e fundit, Ferencvaroshi ka shpresë që të jetë sërish një fuqi europiane, ku Uzuni beson se do të ketë rolin e tij.

Sfidanti.al