Murinjo ka luksin të presë për të parë Ibrën e vërtetë në dhjetor!

Kontratë të re nuk i ofroi, por e lejoi të vazhdonte riaftësimin në kompleksin e Mançester Junajtidit edhe pas 30 qershorit. Zhoze Murinjo po përpiqet ta trajtojë me kujdes dhe pa u nxituar çështjen “Zllatan Ibrahimoviç”. Trajneri portugez, tashmë me përvojë gati 17-vjeçare në profesion, e di se një “margaritar” si Ibra nuk mund të lëshohet nga dora lehtë. Bëhet fjalë për një “thikë me dy presa”, pra për një lojtar me fizik të jashtëzakonshëm që mund ta marrë veten dhe të bëhet sërish një “yll i madh”, por edhe për një rast dëmtimi të një veterani 35-vjeçar që mund të dëmtojë një karrierë të shkëlqyer.

“Është e mundur edhe që të kthehet, – tha Zhoze, – gjithçka është e hapur. Dua që të jemi të ndershëm dhe të shohim se cili do të jetë vendimi i Ibrës. Nuk ka kontratë të re, por secili ka kohë që të mendohet. Zllatan dëshiron të luajë sërish në nivele të lartë, dhe besoj se duhet të presim deri në dhjetor, pasi nuk besoj se do të jetë gati përpara kësaj kohe”. Murinjo mori sulmuesin Romelu Lukaku për 75 milionë stërlina, pikërisht për të zëvendësuar Ibrën, por gjithsesi, është më mirë të kesh “dy gjela” në ekip sesa vetëm një.

Sfidanti.al