Monako, ose “artileria e rëndë” e Europës në Champions!

Barcelona dhe Reali kanë qenë gjithnjë skuadrat që kanë dhënë tonin për shënimin e golave në Europë. Këtë sezon, jo! “Skeptrin” e ka marrë një kandidat i paparashikuar, Monako. Ekipi i drejtuar nga trajneri portugez Leonardo Zhardim po luan një futboll përrallor që do të mbetet në histori. Formacioni i Principatës së Montekarlos ka arritur deri tani në 141 gola zyrtarë, dhe 159 gola gjithsej nëse marrim parashysh miqësoret e verës. Kjo do të thotë rreth 3 gola për ndeshje në takimet e kompeticioneve zyrtare.

Plot 90 gola janë shënuar në kampionatin francez, ku Monako kryeson ndaj Paris SG. Në Ligën e Kampionëve është arritur kuota 28, dhe janë luajtur 14 ndeshje. Francezët (nëse mund të quhen të tillë) e nisën shumë herët, që në turin e tretë eleminator, pastaj në plej of për të mbërritur tek grupet. Eleminuan Fenerbahçen dhe Vijarrealin përpara grupeve, lanë pas Leverkusenin, Totenhemin dhe CSKA-në e Moskës në grup, më pas eleminuan Mançester Sitin dhe Dortmudin.

Aspak gjë e vogël, ndërsa skuadra është e re. Radamel Falkao vërtet është i vjetër, por Mbape është 18 vjeç, Lemar është 21 dhe Mendi 22 vjeç. Ndaj Dortmundit nuk pati sërish histori, fitore 3-1 në stadiumin “Luigji II”, pas suksesit 3-2 në Gjermani. Tani pritet shorti dhe shpresa është të imitohet viti 2004 kur u arrit finalja, pse jo të fitohet edhe kupa.

Sfidanti.al