Mesit dhe Argjentinës i mungon një “doktor” si Karlos Bilardo

Një gol me penallti, kaq ishte në gjendje Lionel Mesi të shënonte për Argjentinën në ndeshjen e dytë në grup ndaj Paraguajit, në Kupën e Amerikës. Më pas, kapiteni “albiseleste” foli me kokën ulur, duke thënë se “do të jetë e paimagjinueshme që ne të eleminohemi nga kupa”. Për gjithë lavdinë e tij si gjeniu i futbollit modern, njolla e dështimit me kombëtaren është tepër e madhe, ndërsa askush në Argjentinë nuk di t’i gjejë “ilaçin” kësaj pune.

Si mundet që Mesi stërfitues i Barcelonës të “transplantohet” në kombëtare? Do të duhej një “doktor” i nivelit të lartë, siç ishte dikur Karlos Salvador Bilardo, njeriu i mbiquajtur “antifutbolli”, por që bëri Argjentinën kampione të botës në 1986, me Maradonën si kapiten. Bilardo, një ithtar i trajnerit pragmatist Osvaldo Zubeldia, kishte inteligjencën, kulturën dhe forcën e duhur të karakterit për t’ia dalë. Ishte ai që nxorri Maradonën nga jeta e çoroditur në Napoli për ta bërë një kampion.

Shumëkush sot thotë se Maradona kishte shokë më të mirë skuadre se Mesi, por më e rëndësishmja është që Diego kishte Bilardon, i cili shkoi në Napoli dhe bisedoi me të, duke ndikuar që ai të kthehej në formë. Maradona kishte shënuar vetëm 6 gola me kombëtaren në 4 vitet mes kupave të botës 1982 e 1986, madje nuk kishte qenë fare në ekip në 1983 e 1984. Bilardo ishte një intelektual i futbollit, që kishte përfunduar studimet e larta universitare për mjekësi, dhe që e la mjekësinë vetëm për futbollin.

Kur ishte trajner i kombëtares, ai udhëtoi në Europë për të takuar Maradonën, Valdanon, Burruçagën, duke i treguar video e duke i folur për taktikat e ndeshjeve. Bilardo krijoi skemën revolucionare 3-5-2, duke shkatërruar traditën e Argjentinës, me një lojtar para mbrojtjes, dhe me mesfushë të fortë si europianet, për t’i lënë liri Maradonës. Mesi, këtë favor nuk e ka.

Bilardo ishte kaq shumë një trajner fitues, saqë ai nuk arriti të gëzohej pas fitores së finales së Kupës së Botës ndaj Gjermanisë Perëndimore, 3-2. Ai goditi me shkelm një bidon me ujë, kur gjyqtari vërshëlleu përfundimin. Gazetarët e panë të nervozuar dhe i bënë pyetje se përse nuk lumturohej për suksesin më të madh të karrierës, dhe ai u përgjigj: “Nuk e patë, pësuam dy gola nga goditje standarde, ndërsa ishim përgatitur kaq shumë për to, përpara ndeshjes”. Lojtarët e tij të habitur, u detyruan t’i thoshin: “Shef, po ne jemi kampionë të botës?”

Sfidanti.al