Mesi në qytetin e Maradonës, magjiku i Barcelonës kërkon trashëgiminë!

Qyteti vazhdon jetën e tij dhe pret spektaklin. Shumë gjëra mund të thuhen për Napolin, por asgjë nuk e errëson faktin se është një nga mrekullitë e Mesdheut, me pasionin, historinë dhe kulturën e veçantë, dhe pikërisht këtu do të luhet sfida e madhe e Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës. Kujtimi i Diego Armando Maradonës është po aq i fortë sa ishte dashuria për argjentinasin magjik kur ai luante këto më shumë se 30 vjet më parë.

Barcelona u nis nga Katalonja dhe në Napoli, bashkë me të, vjen një tjetër argjentinas magjik, Lionel Mesi. Kapiteni katalanas është kthyer në formën më të mirë pikërisht tani në prag të Championsit, siç e tregoi në La Liga, dhe kjo e bën skuadrën e trajnerit Kike Setien edhe më shumë favorite për kualifikim. Gjithsesi, mungesat janë të rëndësishme si Luis Suarez, Usman Dembele dhe Zhordi Alba.

Setien do të bëjë debutimin në këtë garë të madhe në moshën 61-vjeçare. “Kjo është ndeshja ime e parë e Championsit, – tha Setieni, – është një ndeshje që të jep motivim special, shumë emocional për mua. Është shumë bukur ta nisësh Championsin në një stadium të tillë, me kaq shumë pasion dhe histori. Ndeshja do të jetë e vështirë për të dyja skuadrat, shpresoj të jetë e bukur dhe të mbetet në kujtesë. Natyrisht, besoj se nuk do të ketë probleme përsa i përket sëmundjes, pra që gjithçka do të shkojë mirë”.

Napoli ka vetëm një mungesë, por ajo është e rëndësishme, dhe bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Kalidu Kulibali. Trajneri Xhenaro Gatuzo është më i lehtësuar që ekipi i tij ka nisur të fitojë ndeshjet dhe të luajë mirë futboll, ndonëse ende nuk është plotësisht i bindur. Gjithsesi, napolitanët kanë treguar se në “San Paolo” mund të fitojnë me këdo, siç kanë bërë dy herë radhazi me Liverpulin.

Për Gatuzon nuk mund të mungonte kërkesa që të bënte një krahasim mes Maradonës dhe Mesit. “Maradona është Zoti i futbollit, – e nisi Gatuzo, – dhe nuk jam unë i vetmi që e them këtë. Ka kaluar shumë kohë, dhe e kam parë vetëm në videokaseta dhe DVD. Ishte më i miri. Sot, shoh Mesin të bëjë shumë gjëra si Maradona. Ka shumë vite që është më i miri në botë, dhe jo vetëm teknikisht. Është më i madhi për mënyrën sesi e ka jetuar gjithë karrierën. Një shembull për futbollin botëror, për fëmijët. Nuk ka thënë kurrë diçka gabim, i përsosur, një gjë shumë e rëndësishme për këtë sport”.

Përtej futbollit, çështje e madhe është koronavirusi. Në Italinë e Jugut nuk ka shqetësime si në Lombardi apo Friuli, edhe pse ditën e djeshme u fol për dy raste të dyshimtë pas maratonës së Napolit. Gjithsesi, në qytet ka pasur manifestime solidariteti me Kinën dhe kinezët që jetojnë në Itali dhe atmosfera është pozitive.

Sfidanti.al