Mesi kapiten? Ramosi e Ronaldo do të ishin sjellë ndryshe ndaj Bajernit!

Ajo foto, që tashmë u bë e famshme, e argjentinasit të ulur në dëshpërim të plotë në dhomën e zhveshjes, ishte “shkrepur” në pushim të ndeshjes. Barcelona po humbiste 1-4 pas pjesës së parë me Bajernin, dhe Lionel Mesi ishte tërësisht i dorëzuar, siç duket në foto, ndërsa duheshin edhe 45 minuta. Nuk pati çudi që katalanasit u shkatërruan 8-2, dhe përfundimi ishte që kapiteni e la vetëm skuadrën e tij. Edhe pse është lojtari më i talentuar në botë për këtë brez, e ndoshta për të gjitha kohët, me arritje të jashtëzakonshme si individ dhe si pjesë e Barcelonës, me kaq shumë gola të shënuar e asiste të dhënë sa mund ta bëjnë më të mirin e historisë, Mesi duket se ka një mungesë të vetme, por shumë të madhe: Nuk mund të jetë udhëheqës. Këtë gjë e konstatoi Diego Armando Maradona, kur ishte trajner i Argjentinës dhe kombëtarja u mund 0-4 nga Gjermania në Botërorin 2006. “Ai nuk dëshiron të jetë një lider, mos e shqetësoni”, – ishin fjalët e legjendës. Fotoja emblematike e dhomës së zhveshjes në Lisbonë gjithashtu flet dhe analistët theksojnë se “Sergio Ramosi dhe Kristiano Ronaldo nuk do ta kishin lejuar një gjë të tillë, që ekipi të humbiste ashtu në pushim, dhe ata të mos reagonin për ta motivuar”.

Sfidanti.al